U organizua sot në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” konferenca për të bashkëndarë Mesazhin e Papës Françesk për Ditën e 55-të Botërore të Paqes: “Dialog midis gjeneratash arsimi dhe puna: mjetet për të ndërtuar një paqe që zgjat”.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Sh. S. Znj Lindita Nikolla u shpreh se paqen e demokracinë duhet t’i promovojmë në sistemin arsimor.

“Të punojmë që vlerat e paqes dhe demokracisë të promovohen në sistemin tonë arsimor. T’u japim mundësi fëmjëve tanë të mësojnë nga gabimet e të kaluarës. Edukimi për paqe pamundëson çdo shkak që të çon drejt dhunës. Shkollat tona duhet të përmirësojnë edukimin për paqe në të gjitha nivelet, nga kopshti në universitet, duke e vënë theksin të dinjiteti i të gjithë njerëzve.
Edukimi për paqe është një mënyrë e suksesshme për të tejkaluar pabarazinë sociale si edhe për të sfiduar çdo rrëfim apo trashëgimi historike që përpiqet të justifikojë format e shtypjes dhe dhunës.” – deklaroi Kryetarja e Kuvendit.

Aktiviteti, një bashkëpunim i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë me Nunciaturën Apostolike në Shqipëri, si një reflektim mbi Mesazhin e Papës Françesk për Ditën Botërore të Paqes 2022.

Bashkëndanë mesazhin për Ditën Botërore të Paqes edhe Atë Jerome Ndo Mih, President i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë; Prof. Bruno Giardina, Rektor i Universitetit Katolik ZKM; Sh.T. Imzot Luigi Bonazzi, Nunci Apostolik në Shqipëri dhe Sh. T. Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës. Gjithashtu u mbajt një kumtesë nga SH.T. Imzot Lazzaro You Heung- sik, Prefekti i Kongregatës për Klerin.
Moderoi konferencën Atë Appolinaire Anguissa, Drejtor i Qendrës Kërkimore në Shkenca Humane, UKZKM.