Kirurgjia orale është ajo degë e stomatologjisë, që merret me ndërhyrjet kirurgjikale në kavitetin oral.

Më poshtë janë disa nga ndërhyrjet me të shpeshta që kryen mjeku stomatolog i specializuar në kirurgji orale:

Biopsia

Biopsia është një ekzaminim laboratorik i një indi të marrë nga trupi, e cila shërben për të bërë diagnozën midis sëmundjeve të ndryshme që mund të manifestohen. Eshtë një proçedurë rutinë në kirurgjinë orale, ku kirurgu zgjedh një pjesë indi të dyshimtë, bën inçizionin dhe e çon në laborator për të bërë diagnoza mbi natyrën e lezionit. Natyra e lezionit mund të jetë një manifestim oral i një sëmundjeje sistemike, një hipertrofizim nga trauma apo në rastin e një tumori e karakterizuar nga një formacion beninj ose malinj.

Ekstraksionet e dhëmbëve dhe rrënjëve të mbetura

Heqja e dhëmbëve është një ndërhyrje rutinë në kirurgjinë orale. Kirurgjia më e përhapur është heqja e dhëmballëve të pjekurisë, heqja e dhëmbëve të retinuar dhe gjithashtu heqja e dhëmbëve për arsye ortodontike, protezike, prej prishjes të parikuperueshme dhe së fundmi, të rrënjëve të mbetura që mund të çojnë në infeksione të kockës dhe në kiste.

 

Drenimi i abseseve

Abseset janë infeksione me origjinë endodontike ose parodontale, që përhapen në zonën e indeve të buta të gojës me variacione në madhësi,(nga një fryrje e lehtë në zonën përreth dhëmbit deri tek një fryrje që duket në pamje të jashtme), gjë kjo e cila mund të pëngojë frymëmarrjen. Kjo shoqërohet me temperaturë, dhimbje të vazhdueshme, lëvizshmëri të dhëmbëve dhe fryrje të nyjeve linfatike të qafës. Trajtimi kirurgjikal kryhet kur trajtimi i dhëmbit nuk ka patur sukses në eliminimin e absesit dhe konsiston në një incizion brenda në gojë, në zonën më të fryrë, dhe në disifektimin e hapësirës së infektuar, duke u shoqëruar ose jo, në varësi të rastit me antibiotik.

Apicektomi

Apicektomia është proçesi i prerjes së 3-4 mm të fundit të rrënjës së dhëmbit. Rekomandohet të kryhet vetëm në rastet kur trajtimi i kanaleve të dhëmbit nuk është treguar i suksesshëm për të eliminuar infeksionin ose kur nuk arrihet deri në fund të rrënjës. Proçedura konsiston në ekspozimin dhe heqjen e kockës që mbulon apeksin, prerjen dhe mbylljen e pjesës së hequr të rrënjës, duke shmangur në këtë mënyrë humbjen e dhëmbit.

Heqja e kisteve

Kistet janë formacione me përmbajtje likide, që mund të kenë ose jo origjinën nga dhëmbët. Rritja e tyre është e ngadaltë por nëse arrijnë në përmasa të mëdha mund të sjelli frakturën e kockës përreth saj. Kistet me origjinë dentare mund të vijnë nga një infeksion i apeksit të dhëmbit që rritet në mënyrë të pakontrolluar, nga rrënjë të mbetura nga një ekstraksion i pasuksesshëm, nga dalja e dhëmbëve tek fëmijët dhe nga dhëmbët e retinuar në kockë. Gjatë ekzaminimeve bazë radiologjike, kur vihet re prania e një kisti, këshillohet heqja e tij sa më shpejt në mënyrë që të shpëtohet dhëmbi por edhe kocka përreth.

Kirurgjia pre-protezike

Në rastet kur pacienti nuk mund të mbajë proteza fikse në gojë dhe kërkon të bëj protezë të lëvizshme, kirurgu duhet të vlerësojë nevojën e pacientit për të kryer kirurgjinë parapërgatitëse në mënyrë që proteza e lëvizshme të ketë stabilitetin maksimal në gojë. Ndërhyrjet kryesore preprotezike janë heqja e indeve të buta të tepërta, që kanë mbetur nga tërheqja e kockës, si pasojë e mungesës prej shumë kohësh të dhëmbëve dhe e toreve, që janë neoformacione të kockës në qiellzë ose në brendësi të nofullës së poshtme, që mund të pengojnë zbritjen e protezës.

Kirurgjia preimplantare

Implantet dentare konsiderohen si mënyra më e mirë për zëvendësimin e dhëmbëve, që mungojnë në gojë. Në rastet kur pacienti ka humbur para shumë kohësh dhëmbin, kirurgu duhet të vlerësojë nëse kocka e mbetur është e mjaftueshme për të mbajtur implantin. Kur nuk mjafton, trajtimi primar konsiston në vendosjen e kockës artificiale, për të rritur stabilitetin e implantit. Gjithashtu, në zonat e molareve, kirurgu vlerëson edhe afërsin me membranën e sinusit maksilar. Kur hapësira për implant nuk mjafton, kirurgu kryen proçedurën e quajtur “ngritje të sinusit” në të cilën ekspozohet kocka dhe më tej membrana e sinusit, dhe ngre lehtësisht membranën me strumenta të veçantë, në mënyrë që implanti të ketë lartësinë e duhur për të qëndruar në linjë me okluzionin.

Crregullimet e gjëndrave të pështymës

Gjëndrat e pështymës janë të ndara në gjëndra minore që ndodhen në të gjithë gojën si në faqe, qiellzë dhe buzë, dhe në gjëndra madhore që janë vetëm 3 të tilla. Këto prodhojnë pështymën dhe e sekretojnë nëpërmjet dukteve në të gjithë gojën. Prej pranisë së kalçiumit në pështyme, këto dukte mund të bllokohen nga formimi i gurëve që pengojnë sekretimin e pështymës. Ky bllokim sjell më tej dhimbje të vazhdueshme, sidomos para ngrenies, sjell gjithashtu erë të keqe të gojës dhe fryrje të zonës përreth.  Përveç dukteve  edhe gjëndrat e vogla, sidomos tek buza mund të zmadhohen duke sjellë pasoja estetike të dukshme për pacientin. Në disa raste gjëndrat e pështymës, si përshembull ato që ndodhen poshtë gjuhës, mund të çojnë dhe në formimin e pseudo-kisteve.