Stomatologjia estetike restauruese duhet të ketë për qëllim ruajtjen maksimale të strukturës së dhëmbit, e cila aktualisht mundësohet nga përdorimi i teknologjive aderuese. Me restaurime indirekte, mjekët duhet të zgjedhin një material dhe teknikë që lejon trajtimin më konservator të mundshëm, duke përmbushur kërkesat estetike, anatomike  dhe biologjike të dhëmbëve.

Bazuar në fortësinë, jetëgjatësinë, natyrën konservatore, biokompaktibilitetin dhe estetikën e tyre, fasetat janë konsideruar si një nga modalitetet më praktike të trajtimit që nga prezantimi i tyre në vitin 1983. Fasetat përbejnë  veshje të jashtme të sipërfaqes së dhëmbëve, të cilat ndryshojnë ngjyrën, madhësinë, formën dhe / ose gjatësinë e dhëmbeve, duke përmirësuar estetikën dhe funksionin e kërkuar. Pacientët që i nënshtrohen kësaj procedure mund të kenë dhëmbë të pigmentuar ose të prekur nga diskromia, të thyer, të abraduar, të grumbulluar, me anomali ne formë, me difekte në shtresën e smaltit ose me hapësira ndërmjet tyre.

Për dhëmbët me strukture të dobët ose jo të shëndetshme, siç është sëmundja periodontale aktive, kariesi, apo reduktimi i shtresës së smaltit ekzistues, fasetat nuk mund të jenë një zgjedhje e duhur. Gjithashtu, fasetat nuk sugjerohen  në rastin kur pacienti shtrëngon dhembët apo vuan nga bruksizmi, pasi vendosja e tyre mund të cojë në një krisje apo thyerje të tyre.

Për të përmirësuar estetikën tek dhëmbët e sektorit anterior me anë të fasetave, janë të indikuara 2 lloje  materialesh: Porcelani feldspatik sintetik dhe qeramika e presuar.
Veshjet prej porcelani kanë qenë një mjet popullor për restaurimin e dhëmbëve që nga fillimi i viteve 1980. Një numër i studimeve klinike kanë konfirmuar performancën e favorshme klinike të këtyre restaurimeve, pasi estetika ishte e shkëlqyer, qëndrueshmëria e zgjatur në kohë me një mirëmbajtje minimale dhe nuk kishte efekte negative në shëndetin e gingivave. Studime të tjera shkencore raportojnë një gradë te ulët të thyrjes së fasetave (0%-7%).

Aktualisht, ekzistojnë sisteme, siç është dizenjimi dhe prodhimi i kompjuterizuar (CAD / CAM), gjë që mund të lehtësojë realizimin e fasetave. Restaurimet e sistemit CAD / CAM kanë një pamje natyrale pasi blloqet qeramike kanë një cilësi të tejdukshme që simulon smaltin dhe janë në dispozicion në një gamë të gjerë ngjyrash.

Fasetat estetike paraqesin një performancë klinike të shkëlqyer dhe duke marrë parasysh që si materialet dhe teknikat kanë evoluar, fasetat janë kthyer në një nga trajtimet më të përdorura, më estetike dhe më pak invazive . Për këtë arsye, materialet dhe teknikat e ditëve te sotme, i ofrojnë stomatologut dhe pacientit një mundësi për të përmirësuar buzëqeshjen në një mënyrë minimalisht invazive.