Bashkëpunimi pesëvjeçar, që mundëson prezencën e ekselencës pediatrike në Tiranë, synon rritjen e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e ekspertizës mjekësore dhe ngritjen e Qendrës për Zhvillimin e Fëmijës në Shqipëri, në ambientet pranë Spitalit Katolik Zoja e Këshillit të Mirë.

Ky partneritet u konkretizua me marrëveshjen operacionale, të nënshkruar nga Presidenti i Spitalit Pediatrik “Bambino Gesù”, Tiziano Onesti dhe Presidenti i Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”, fr. Leandro Román Lobato, e cila ka në qendër të saj forcimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor për fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve pediatrike në Spitalin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, specialistët e Spitalit Pediatrik “Bambino Gesù” do të zhvillojnë 10 misione në Tiranë gjatë vitit të parë, me kohëzgjatje nga tre ditë secili, dhe 12 misione në vit në periudhën pasuese. Gjatë këtyre vizitave do të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me ekipet mjekësore shqiptare përmes aktiviteteve klinike, konsultimeve dhe shkëmbimit të përvojës profesionale.

Një nga komponentët kryesorë të këtij partneriteti është krijimi i Qendrës për Zhvillimin e Fëmijës në Tiranë. Përmes transferimit të njohurive dhe forcimit të kapaciteteve vendase, specialistët e Spitalit Pediatrik “Bambino Gesù” do të kontribuojnë në zhvillimin e shërbimeve të specializuara që Qendra do të ofrojë për diagnostikimin, vlerësimin dhe trajtimin e problematikave të zhvillimit te fëmijët, përmes një qasjeje multidisiplinare dhe të integruar me shërbimet ekzistuese shëndetësore.

Një tjetër komponent i rëndësishëm është përmirësimi i eksperiencës dhe praktikave më të mira të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë pranë strukturave të Spitalit “Bambino Gesù” në Romë, si dhe zhvillimi i telekonsultave për diskutimin dhe vlerësimin e rasteve klinike më komplekse, duke mundësuar një bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të të dy institucioneve.

Aktivitetet klinike me fokus rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve do të përqendrohen në gjashtë fusha prioritare: neonatologji, pediatri e zhvillimit, neuroshkenca, gastroenterologji dhe ushqyerje, sëmundje infektive dhe ortopedi pediatrike.

Marrëveshja parashikon gjithashtu zhvillimin e aktiviteteve në fushën universitare dhe akademike, organizimin e konferencave dhe aktiviteteve shkencore, si dhe iniciativa të përbashkëta për parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e stileve të shëndetshme të jetesës.

Partneriteti i Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë” me Spitalin “Bambino Gesù” ka një objektiv të përbashkët: përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe krijimin e më shumë mundësive për një të ardhme më të shëndetshme për fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri.

Bashkëpunimi me Spitalin Pediatrik “BAMBINO GESÙ”