Përhapja e shpejtë dhe efekti i COVID-19 mbi popullsinë ,  krijoi kushte të tilla që OBSH të shpallë gjendjen e pandemisë më 11 Mars 2020.[1] Shumë vende të botës u detyruan të mbyllin kufijtë e tyre dhe të ndërmarrin rregulla të rrepta karantine si : izolimin, distancimin fizik dhe lëvizjet e kufizuara të qytetarëve për nevojat parësore, si masa të rëndësishme për të parandaluar përhapjen e pakontrolluar të virusit.

Izolimi duket se ka pasur një ndikim pozitiv edhe në ndotje[2]: NASA arriti të regjistrojë ndryshime atmosferike me satelitin Aura, duke dokumentuar uljen 30% të NO2 (dioksidit të azotit) fillimisht në Kinën qëndrore. Emetimet e CO2 (dioksidi i karbonit) janë ulur me 26% në Kinë dhe me 6% në të gjithë botën.[3][4]

Ndërsa planeti merr frymë, për ironi, jemi të detyruar të mbrohemi nga një virus që prek kryesisht sistemin tonë të frymëmarrjes.

Pas rreth pesëdhjetë ditësh nga deklarimi i gjendjes pandemike, lindin dyshime dhe pyetje përballë një të ardhme me shumë paqartësi mbi shëndetin, ekonominë dhe tërë komunitetin shkencor.

Me gjithë përpjekjet e autoriteteve për të hedhur dritë mbi gjendjen aktuale të situatës, është ende herët të pasqyrohen me saktësi pasojat socio-ekonomike dhe ndikimi përfundimtar i tyre në shëndetin publik.[5]

Nga ana tjetër, izolimi, edhe pse një nga mjetet kryesore për të kufizuar përhapjen virale, ka provokuar reagime të ndryshme në jetën e shumë njerëzve, reagime të cilat nuk duhet të nënvlerësohen.

I heshtur dhe pa u vënë re, së bashku me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, vërehet një tjetër shqetësim: Pandemia e pasivitetit fizik dhe jetës sedentare.[6] Kjo e fundit ndoshta do të zgjasë më gjatë se COVID-19, me pasoja që do të reflektohen si në shëndetin publik por edhe në ekonominë e shëndetit.

Mendohet, në fakt, që një qëndrim i zgjatur në shtëpi mund të rrisë sjelljet sedentare, siç janë: të kalosh shumë kohë ulur, shtrirë, madje edhe gjatë përdorimit të pajisjeve elektronike si TV, Smartphoni-i, PC, tablet etj. Këto sjellje, nëse janë të tepruara, mund të ndikojne në shfaqjen ose përkeqësimin e sëmundjeve të ndryshme kronike.

Vlen për t’u përmendur fakti, sipas OBSH-së, se rreth 3.2 milion vdekje në vit vijnë si pasojë e stilit të jetës jo të shëndetshëm.[7]

Në Kinë, tashmë janë evidentuar raste me probleme psiko-fizike për shkak të pezullimit të punës.[8] Nuk përjashtohen nga këto pasoja as kategoritë më të rrezikuara të shoqërisë, siç janë të moshuarit dhe fëmijët, për të cilët lëvizja, aktiviteti fizik dhe ndërveprimi shoqëror luajnë një rol shumë të rëndësishëm për shëndetin në përgjithësi, por sidomos në zhvillimin psiko-motor tek fëmijet.

Në fakt, ushtrimi fizik, është një komponent i rëndësishem për të luftuar pasojat fizike dhe mendore të karantinës, veçanërisht për rastet që paraqesin më shumë se një patologji, siç janë të moshuarit.

Eshtë e rëndësishme të përmendet se, aktiviteti fizik duhet të jetë në përputhje të plotë me udhëzimet mjekësore ndërkombëtare, duke patur parasysh: metodat, shpeshtësinë, volumin dhe intensitetin e duhur.[9]

Dihet se individët më të rrezikuar nga infeksioni viral, të cilët mund të zhvillojnë  simptoma më të rënda janë të prekurit nga diabeti, mbipesha ose rastet që paraqesin patologji të lidhura ngushtë me jetën sedentare, kequshqyerjen dhe mungesën e aktivitetit fizik.

Ҫfarë është aktiviteti fizik?

Aktiviteti fizik përkufizohet  si  “çdo lëvizje e trupit e prodhuar nga muskujt skeletorë, e cila kërkon shpenzim të energjisë”.[10]

Në të përfshihen aktivitete të ndryshme siç janë puna, loja në shkollë, kryerja e punëve shtëpiake, lëvizja nga një vend në tjetrin (në këmbë ose me biçikletë) dhe kryerja e aktiviteteve krijuese (kopshtari, vallëzimi, yoga, noti, vrapimi, sportet në grup etj).[11]

Përse është i rëndësishëm aktiviteti fizik, veçanërisht në kushtet e karantinës?

Ushtrimi fizik, përveçse ndihmon në uljen e gjendjeve të ankthit dhe stresit[12] të shkaktuar nga karantina, rekomandohet fuqimisht për të parandaluar shfaqjen e sëmundjeve kronike si pasojë e inaktivitetit.[13]

Ushtrimi fizik konsiderohet si një nga elementet kryesore të shëndetit të mirë, pasi zvogëlon  rrezikun për të zhvilluar  inflamacion sistematik, për të shtuar në peshë dhe gjithashtu për të zhvilluar patologji që mund të kompromentojnë funksionin e sistemit imunitar.[14]

Eshtë vënë re që, edhe pse me intensitet të moderuar, aktiviteti fizik ka një efekt pozitiv në imunitetin e shumë sëmundjeve. Në këto kushte stërvitja kardiorespiratore mund të luajë një rol parandalues ​​me efekte imuno-mbrojtëse tek pacientët që mund të infektohen nga SARS-CoV-2.[15]

Një faktor tjetër për të inkurajuar aktivitetin fizik është efekti i tij i lartë në sintezën e vitaminës D (vitamina D konsiderohet integrator i vlefshëm në menaxhimin e gjendjes pro-inflamatore të shkaktuar nga COVID-19) falë shpenzimit të energjisë nëpërmjet kontraktimit të muskujve.[16]

Për më tepër, duke konsideruar faktin që edhe pas kontaktit me virusin, nuk është plotësisht e qartë nëse zhvillohet imuniteti ndaj tij, aktiviteti fizik edhe njëherë mund të jetë një mjet parandalues ​​për një infeksion të dytë, duke shmangur, keshtu një rreth vicioz të rrezikshëm.

Ka nga ata të cilët, duke parashikuar një pandemi të mundshme në të ardhmen, e rendisin aktivitetin fizik në linjën e parë, si një nga masat e rëndësishme për të përforcuar imunitetin.[17]

Kujdes, ushtrimi fizik mund të jetë edhe i dëmshëm!

Sidoqoftë, fillimi i aktivitetit fizik duhet të jetë shumë i kontrolluar dhe progresiv për të shmangur dëmtimet ose traumat si pasojë e mbingarkesës.

Efektet e shëndetshme të stërvitjes fizike kushtëzohen nga një seri faktorësh si: mosha, lloji i stërvitjes, kohëzgjatja, intensiteti, etj., pasi nëse kryhet me intensitet të lartë dhe pa pushimin e nevojshëm, mund të shkaktojë (rënie të imunitetit dhe të rrisë ndjeshmërinë ndaj patogjenëve dhe sëmundjeve infektive.[18]

Kryerja e rregullt e aktivitetit dhe ushtrimeve fizike, në një mjedis të sigurtë sic është shtëpia, është një alternative e vlefshme për një jetesë të shëndetshme gjatë emergjencës së koronavirusit.[19][20]

Ekzistojne gjithashtu edhe rastet në të cilat ushtrimi fizik mund jetë i dëmshëm dhe duhet të kryhet nën mbikqyrjen e personelit shëndetësor, prandaj është e nevojshme të konsultoheni paraprakisht me mjekun ose fizioterapistin tuaj.

Cili është aktiviteti fizik më i përshtatshëm?

Ekzistojnë disa udhëzime mbi atë që njerëzit mund ose duhet të bëjnë për sa i përket mbarëvajtjes së punëve së tyre të përditshme ose aktiviteteve fizike.

Në SHBA, udhëzimet rekomandojnë që të merreni me të paktën 30 minuta aktivitet fizik të moderuar çdo ditë, dhe/ose të paktën 20 minuta aktivitet fizik intensiv me ditë të alternuara.[21]

“Shërbimi për Shkencën dhe Dijen i Komisionit Europian” ka vënë gjithashtu në dispozicion udhëzime ndërkombëtare për aktivitetet fizike të përshtatshme, sipas grupmoshave të ndryshme.[22]

Alternativa të tjera krahas aktivitetit fizik?

Jemi të vetëdijshëm që jo të gjithë janë të dhënë pas ushtrimeve dhe aktivitetit fizik, veçanërisht nëse kryhen në kushte shtëpie. Sidoqoftë, sugjerohen aktivitete shtëpiake ose krijuese  që në një farë mënyre mund të “zëvendësojnë” ushtrimin e mirëfilltë: aktivitete të ndryshme në mirëmbajtjen e shtëpise, oborrit, kopshtit etj. Si në cdo rast, është e rëndësishme të theksohet se aktiviteti duhet të nisë gradualisht.[23]

Kthimi në normalitet së bashku me aktivitetin fizik.

Kthimi në normalitet nuk do të jetë i lehtë, dhe secili vend do të marrë masat e nevojshme bazuar në evolucionin lokal dhe global të fenomenit Covid-19.

Kina ka filluar të zbatojë programe specifike për fëmijët e moshës 5-17 vjeç, duke promovuar edukimin për aktivitetin fizik.[24]

Sipas udhëzimeve të OBSH-së, kryesisht rekomandohen tre lloje të aktivitetit fizik, për grupmoshën nga 5-17 vjeç[25]:

  • Aktiviteti aerobik: çiklizëm, sport dhe lojëra aktive, ecje e shpejtë.
  • Aktivitete për rritjen e forcës: programi duhet të përfshijë aktivitete për

forcimin e muskujve të paktën 3(tri) ditë në javë, përmes ushtrimeve

kundrejt rezistencës.

  • Aktivitete për të përmirësuar densitetin e kockave: nëpërmjet ushtrimeve

dhe lojërave që përfshijnë hedhjen dhe vrapime të shpejta, kërcimin në

litar, tenisin, basketbollin etj.

Në këto kushte është e nevojshme të propozohen strategji dhe programe specifike, pse jo duke përdorur edhe kanale komunikimi siç janë televizioni ose telematika, për të zvogëluar sa më shumë që të jetë e mundur si rreziqet e infektimit, ashtu dhe pasojat shëndetësore për shkak të pasivitetit fizik.

 

MSc. Francesko Comeni,

Fizioterapist, Koordinator  “Qendra e Rehabilitimit dhe Mjekësisë Sportive”

Fondacioni Zoja Këshillit Të Mirë

[1] http://www.euro.who.int/en/health-topics/health-emergencies/coronavirus-covid

[2] Dutheil, Fréé., Baker, J.S., Navel, V., COVID-19 as a factor influencing air pollution? Environmental Pollution (2020), doi: https://doi.org/10.1016/j.envpol.2020.114466.

[3] Hanaoka, T., Masui, T., 2019. Exploring effective short-lived climate pollutant mitigation scenarios by considering synergies and trade-offs of combinations of air pollutant measures and low carbon measures towards the level of the 2 °C target in Asia. Environ. Pollut. 261, 113650. https://doi.org/10.1016/j.envpol.2019.113650.

[4] CarbonBrief, 2020. As China battles one of the most serious virus epidemics of the century, the impacts on the country’s energy demand and emissions are only beginning to be felt.

[5] Di Gennaro, F., Pizzol, D., Marotta, C., Antunes, M., Racalbuto, V., Veronese, N., & Smith, L. (2020). Coronavirus Diseases (COVID-19) Current Status and Future Perspectives: A Narrative Review. International Journal of Environmental Research and Public Health, 17(8), 2690. doi:10.3390/ijerph17082690 .

[6] Hall G, Laddu DR, Phillips SA, Lavie CJ, Arena R. A tale of two pandemics: How will COVID-19 and global trends in physical inactivity and sedentary behavior affect one another? Prog Cardiovasc Dis. 2020 Apr 8. pii: S0033-0620(20)30077-3.  doi: 10.1016/j.pcad.2020.04.005. [Epub ahead of print] PubMed PMID: 32277997.

[7] World Health Organization. Physical inactivity: a global public health problem. 2020. https://www.who.int/dietphysicalactivity/factsheet_inactivity/en/.

[8] Zhang SX, Wang Y, Rauch A, Wei F. Unprecedented disruption of lives and work: Health, distress and life satisfaction of working adults in China one month into the COVID-19 outbreak. Psychiatry Res. 2020 Apr 4;288:112958. doi: 10.1016/j.psychres.2020.112958.

[9] D. Jiménez-Pavón, A. Carbonell-Baeza and C.J. Lavie, Physical exercise as therapy to fight against the mental and physical consequences of COVID-19 quarantine: Special focus in older people, Progress in Cardiovascular Diseases (2020), https://doi.org/10.1016/j.pcad.2020.03.009.

[10] WHO (2010) World Health Organization Global Recommendations on Physical Activity for Health.

[11] WHO (2018) Global action plan on physical activity 2018-2030: more active people for a healthier world. Copenhagen.

[12] Aylett E, Small N, Bower P. Exercise in the treatment of clinical anxiety in general practice – A systematic review and meta-analysis. BMC Health Serv Res 2018;18(1):559. doi.org/10.1186/s12913-018-3313-5.

[13] Booth FW, Roberts CK, Laye MJ. Lack of exercise is a major cause of chronic diseases. Compr Physiol 2012;2:1143–211.

[14] Fletcher GF, Landolfo C, Niebauer J, Ozemek C, Arena R, Lavie CJ. Promoting Physical Activity and Exercise: JACC Health Promotion Series. Journal of the American College of Cardiology. 2018; 72:1622 -1639.

[15] Zbinden-Foncea H, Francaux M, Deldicque L, Hawley JA. Does high cardiorespiratory fitness confer some protection against pro-inflammatory responses after infection by SARS-CoV-2? Obesity (Silver Spring). 2020 Apr 23. doi: 10.1002/oby.22849. [Epub ahead of print] Review. PubMed PMID: 32324968.

[16] Grant WB, Lahore H, McDonnell SL, Baggerly CA, French CB, Aliano JL et al. Evidence that vitamin D supplementation could reduce risk of influenza and COVID-19 infections and deaths. Nutrients 2020; 12: 10.3390/nu12040988.

[17] D.R. Laddu, C.J. Lavie, S.A. Phillips, et al., Physical activity for immunity protection: Inoculating populations with healthy living medicine in preparation for the next pandemic, Progress in Cardiovascular Diseases (2020), https://doi.org/ 10.1016/j.pcad.2020.04.006.

[18] Nieman DC, Wentz LM. The compelling link between physical activity and the body’s defense system. J Sport Health Sci. 2019;8:201-217.

[19] Peijie Chen et al., Opinion Wuhan coronavirus (2019-nCoV): The need to maintain regular physical activity while taking precautions, Journal of Sport and Health Science (2020), https://doi.org/10.1016/j.jshs.2020.02.001.

[20] Carter SJ, Baranauskas MN, Fly AD. Considerations for obesity, vitamin D, and  physical activity amidst the COVID-19 pandemic. Obesity (Silver Spring). 2020 Apr 16. doi: 10.1002/oby.22838. [Epub ahead of print] PubMed PMID: 32299148.

[21] U.S. Department of Health and Human Services. Physical activity guidelines for Americans. 2nd ed. Washington, DC: U.S. Department of Health and Human Services; 2018.

[22] https://ec.europa.eu/jrc/en/health-knowledge-gateway/promotion-prevention/physical-activity.

[23] Fallon K. Exercise in the time of COVID-19. Aust J Gen Pract. 2020 Apr 22;49.  doi: 10.31128/AJGP-COVID-13. [Epub ahead of print] PubMed PMID: 32321207.

[24] Peijie Chen et al., Returning Chinese school-aged children and adolescents to physical activity in the wake of COVID-19: Actions and precautions, Journal of Sport and Health Science (2020), https://doi.org/10.1016/j.jshs.2020.04.003.

[25] World Health Organization. Physical activity and young people: recommended levels of physical activity for children aged 5 17 years. Available at: https://www.who.int/dietphysicalactivity/ factsheet_young_people/en/. [accessed 01.04.2020].